Ky tur është një nga më të bukurit në rajonin e Durrësit, dhe është i përshtatshëm për të gjitha moshat. Nisja bëhet pranë Amfiteatrit të Durrësit në drejtim të Currilave duke kaluar poshtë Vilës së Mbretit “Zog I”, pranë Muzeut Arkeologjik dhe Universitetit të Durrësit. E gjithë rruga është e asfaltuar dhe në anë të saj ka ndërtime dhe restorante të shumta. Nga Currilat, tek ish-kampi i punëtorëve, rruga është e përshtatshme dhe për ecje dhe për makina dhe kalon nëpër një peisazh të përsosur detar, kodrinor ku në breg ndodhet dhe një port i vogël varkash i njohur si “Porti i Gjermanit”. Peisazhi i bukur detar me kodrina me pisha e shkurre bregdetare si dhe taraca ullishtash që vazhdojnë deri tek Hidrovori. Ndërsa, nga Hidrovori (Kalaja) në drejtim të Bishtit të Pallës ku dhe mund të akomodoheni, kalohet nëpër portin e mallrave dhe depozitave të karburanteve, nëpër peisazhe natyrore e kështu vazhdon ecja deri tek pika turistike e Bishtit të Pallës.