E ndërtuar nga dy kushërinj Ramazan dhe Hysen Veli në vitet 1937-38, godina u mendua dhe u projektua që në fillim si një qendër tregtare, aq sa brenda saj edhe sot ruhet ashensori origjinal.
Për ta ndërtuar godinën iu desh të blinin edhe “ajrin” komshiut të tyre, me qëllim lartësimin e saj.
Të njohur me statusin “agallarë” dhe tregtarë babai i tyre Ali bleu në Itali një anije velierë 250-tonëshe, duke lundruar në të gjithë Mesdheun dhe zhvilluar tregtinë.
Familja Veli u përndoq nga regjimi komunist dhe u persekutuan në Ishëm. E gjithë pasuria e tyre u konfiskua dhe u përdor nga regjimi për funksione të tjera.
Nga 1945 deri në vitin 1970 ka qenë selia e Komitetit të Partisë.
Nga 1970 deri në vitin 1990 ka funksionuar si Hetuesia e Durrësit.
Nga viti 1994 deri në vitin 1996 në të u vendos shoqëria e tragetit “La Vichinga”.
Gjatë luftës së Kosovës 1998-1999 godina u shndërrua në selinë e Kryqit të Kuq Belg.
Prej vitit 2000 deri para pak vitesh ka shërbyer si vendndodhja e televizionit të parë privat të qytetit të Durrësit “Tv Teuta”.
Aktualisht godina është e mbyllur pa asnjë funksion.