Dikur pranë banesës së Mantho Jorgjit gjendej Porta e Jallisë, porta hyrëse e qytetit nga ana e detit.
Si një dëshmi e lidhur me detin ishin edhe guaskat e përdorura në ballinën e lartë të vilës dykatëshe. Vezullimi tyre sapo binin në kontakt me diellin i shtonin hijeshi vilës me stilin neoklasik.
E ndërtuar shpejt për dy vite nga arkitekti Kristo Sotiri, ajo ishte gati të priste familjarët e ekonomistit në vitin 1932.
Dy luanët prej graniti që dekoronin vilën u hoqën nga vila, ashtu siç u larguan gjatë komunizmit edhe pasardhësit nga foleja e tyre.
Sa shumë transformime ndodhën aty, e sa dëshmi historike ruan kjo vilë!
Dikur e jetuar nga katër breza, ajo ka pritur inxhinierët e parë jugosllav, që u strehuan gjatë ndërtimit të hekurudhës së parë shqiptare.
Një tjetër figurë artistike si shkrimtari dhe dramaturgu Minush Jero banoi gjatë aty.
Ndërsa pas viteve 1990 u bë strehë arti për galerinë e arteve të Durrësit.
Sot, ajo ka mbetur e vetme, pa njerëzit e dashur, e pa kujdesin e zakonshëm. Ajo çka ende ruan mbetet madhështia e detajeve të gdhendura mbi sipërfaqen e fasadës.